Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar të hënën një raport për vitin e tretë të punës së Qeverisë Kurti II, ku theksohen një varg ngecjesh.
Funksionimi i disa pozitave me ushtrues detyre duke tejkaluar në të shumtën e rasteve edhe afatet ligjore, lufta kundër korrupsionit, dialogu e reformat në sundimin e ligjit janë disa nga temat për të cilat është kritikuar Qeveria.
Njomëza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS, e ka theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë, derisa shumë pozita udhëhiqen me ushtrues detyre.
“Pra nga 16 institucione gjithsej, 15 ministri dhe Zyra e Kryeministrit, vetëm 4 prej tyre udhëhiqen nga sekretarë me mandat të rregullt. Një dukuri të tillë, të bartur nga viti në vit, GLPS e sheh shumë shqetësuese dhe për këtë kemi reaguar disa herë gjatë kësaj qeverisjeje. Ky fenomen vazhdon të dëmtojë seriozisht funksionimin e administratës publike në Kosovë. Po ashtu, tashmë sa kohë ne kemi theksuar nevojën për një riformatim të Qeverisë për shkak të mungesës së performancës në një numër dikasteresh”, tha Arifi.
Arifi ka kritikuar Qeverinë edhe për tendencën e vazhdueshme, sipas saj, për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike.
E drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, tha se Qeveria duhet të fokusohet te fushata për të siguruar njohje të reja dhe anëtarësime në mekanizma ndërkombëtarë.
Sipas saj, dialogu ka mbetur temë kyç edhe në vitin e tretë të Qeverisë.
“Pas sulmit në Banjskë, dialogu me Serbinë ka konsumuar në masë të madhe gjithë përpjekjet dhe energjinë e Qeverisë Kurti dhe gjithë përpjekjet përgjatë vitit të tretë. Sulmi në Banjskë ka zhvendosur vëmendjen e kësaj qeverie nga reformat e lidhura me BE-në në menaxhimin e shqetësimeve të cilat lidhen me sigurinë e vendit”, tha Loxha-Stublla.
Ajo i ka bërë thirrje Qeverisë që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë meqë, siç tha, kjo është mënyra e vetme dhe e duhur për Kosovën që të ecë përpara.