Gjermania të enjten i ka dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës pesë kamionë ushtarakë të llojit HX-3. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se përveç pesë kamionëve si donacion, FSK-ja me mjetet e veta do t’i blejë edhe dhjetë të tjerë.
Vlera e kamionëve si donacion është 3 milionë euro. Që do të thotë se, dhjetë kamionët e tjerë FSK-së pritet t’i kushtojnë 6 milionë euro.
Por për çka shërbejnë këta kamionë?
Seria HX3 e kamionëve ushtarakë prodhohen nga kompania gjermane e armatimit, Rheinmetall. Këto lloje të kamionëve janë prodhuar në bashkëpunim me kompaninë e njohur “MAN”.
Kamionët e tillë shërbejnë për misione logjistike dhe taktike. Kamioni është i prodhuar për t’i përballuar terrenet e vështira.
Serisë HX3 i kanë paraprirë modelet HX dhe HX2. Seria HX3, të cilën e ka pranuar Kosova si donacion, për herë të parë u zbulua në maj të vitit 2021.
Kamionët e dhuruar nga Gjermania gjithashtu mund të përdoren për mbrojtje ajrore. Por në të duhet të montohet sistemi “Skyranger 30”. Sistemi kundër-ajror duhet të blihet veçmas nga kamionët. Nuk ka pasur njoftim që Kosova e ka blerë edhe këtë sistem së bashku me kamionët.