×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Kosovën, kusht për Serbinë edhe në blerjen e armatimit

    NgaKotar FactorialPublikuar: 15/04/2024 | 23:40 Publikimo: 15/04/2024 | 23:40

    Bashkimi Evropian pret t’i japë zgjidhje çështjes së dinarit në takimin e fundjavës, i pesti me radhë në pak më shumë se një muaj. Për shkak të tensioneve në terren, zbatimi i marrëveshjes bazë ka mbetur në hije. Veç paralajmërimit të palëve se moszbatimi do të ketë efekt negativ në rrugët respektive drejt integrimit në BE, çështja e Kosovës është raportuar t’i jetë vënë parakusht Serbisë nga Franca para se t’ia miratonte marrëveshjen për shitjen e avionëve luftarakë. Mediat franceze kanë ngritur shqetësimin se me këta avionë Serbia paraqet kërcënim për Kosovën

    Emisari i Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak, ka kërkuar prej Kosovës e Serbisë konstruktivitet në takimin e radhës në fund të kësaj jave.

    Temë diskutimi do të jetë sërish zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës në mesin e komunitetit serb, i cili reagoi pasi ndalimit të dinarit të Serbisë si mjete pagese me para kesh.

    Nëpërmjet një postimi në Facebook, Lajçaku ka thënë se pret që të dyja palët të kenë qasje të orientuar drejt zgjidhjes.

    “Në fund të kësaj jave do të pres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për një raund tjetër bisedimesh me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së përkohshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, fleksibilitet dhe një qasje të orientuar drejt zgjidhjes bazuar në idetë e paraqitura gjatë takimeve të mëparshme”, ka shkruar Lajçaku të hënën.

    Meqenëse palët nuk mund të kapërcenin dallimet në takimet paraprake, Lajçaku ka paraqitur idetë e tij mbi të cilat bazohet një zgjidhje e përkohshme. Tani diskutimet do të zhvillohen mbi propozimin të cilin pala kosovare pati thënë se e ka pranuar, por ishte Serbia që kërkoi afat shtesë.

    Me gjithë insistimin e qeverisë se zbatimi i rregullores nuk ka kthim prapa, ShBA-ja e BE-ja vazhdojnë të insistojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

    Zyrtarë të BE-së kanë deklaruar më herët se një zgjidhje e përhershme duhet të negociohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Rregullorja e BQK-së hyri në fuqi më 1 shkurt të këtij viti dhe, sipas saj, valutat e tjera jo euroja mund të përdoren në Kosovë vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta joeuro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta joeuro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.

    Veç negociatave që po zhvillohen në Bruksel për këtë çështje, serbët e kanë sfiduar rregulloren edhe në Gjykatën Kushtetuese.

    Ky institucion më 20 shkurt të këtij viti ka pranuar “vetëm formularin e kërkesës” parashtruar nga avokati, Vasilije Arsiq i cili konteston kushtetutshmërinë e nenit 35 të Rregullores së BQK-së për operacione me para të gatshme. Sipas tyre, pretendimi është për shkeljen e 12 neneve të Kushtetutës.

    Për shkak të mospërfilljes së kërkesës amerikane rreth kësaj çështjeje, ambasadori Jeffrey Hovenier dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, patën deklaruar se SHBA-ja nuk do të mund ta trajtojë Kosovën si partnere nëse ajo merr vendime pa u konsultuar paraprakisht.

    Në mungesë të zgjidhjes për çështjen e dinarit dhe zhvillimeve të tjera që çuan në tensione në veri, ka ngecur zbatimi i marrëveshjes. Deri tash asnjëra prej 11 pikave të dakorduara para më shumë se një viti nuk është zbatuar plotësisht.

    Në BE nuk kanë treguar nëse ka ndonjë pikë për të cilën do të ketë angazhim javët në vijim.
    Bashkimi Evropian ua ka bërë të qartë palëve se zbatimi i ujdisë është i ndërlidhur me rrugët e tyre drejt integrimit në BE.

    Marrëveshja ishte arritur mbi bazën e propozimit franko-gjerman, shtete këto që vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e saj.

    Normalizimi i raporteve me Kosovën është përmendur si kusht për Serbinë edhe në një marrëveshje bilaterale me Francën. Bëhet fjalë për transaksionin me shtetin francez për blerjen e avionëve luftarakë “Rafale”.

    Edhe pse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e paraqiti si marrëveshje të përfunduar, mediat në Francë kanë raportuar të hënën se mund të bllokohet shitja e aeroplanëve ushtarakë. Veç rishikimi i raporteve me Kinën e vënia e sanksioneve ndaj Rusisë, si parakusht tjetër i Emanul Macronit për Serbinë, raportohet të jetë kërkesa për zbutjen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Sipas BFM-së franceze, Franca synon të marrë konfirmimin për zhvillimet politike në vend përpara përfundimit të kontratës për shitjen e aeroplanëve ushtarakë.

    “Nëse aprovohet shitja e ‘Rafale’ mund të shihni avionë luftarakë francezë që përdoren për të frikësuar Kosovën. Këta avionë mund të përdoren kundër vendeve fqinje”, është cituar analisti Jasmin Mu, nga mediumi francez BFM.

    Po ashtu afërsia e kreut të shtetit serb me Vladimir Putinin është problem për Parisin. Edhe pse Serbia e dënoi agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk iu bashkua Perëndimit në vendosjen e sanksioneve.

    Presidenti i Serbisë pas vizitës së tij të fundit në Paris njoftoi se në dy muajt e ardhshëm Serbia do të nënshkruajë një marrëveshje për blerjen e aeroplanëve luftarakë “Rafale”.

    Investimet e Serbisë në blerjen e armëve kanë qenë në rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Nga viti 2012 deri në vitin 2023 buxheti ushtarak i Serbisë u trefishua duke arritur në 1.4 miliardë euro. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2023, Serbia ka shpenzuar 2.67 miliardë euro për blerjen e armëve – kryesisht për blerjen e sistemit kundërajror kinez FK-3 dhe helikopterëve rusë Mi-17 e Mi-35.

    Sipas mediumit francez, investimi i Serbisë në ushtri është sa buxheti i pesë vendeve të tjera të Ballkanit së bashku.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.