Ish-gjenerali amerikan i NATO-s, Wesley Clark sot është pritur në selinë e LDK-së, ku i pari i kësaj partie Lumir Abdixhiku e dekoroi atë me çmimin “Dr.Ibrahim Rugova”, shkruan Reporteri.net.
Kreu i LDK-së, tha se kontributi i Clark ka tejkaluar udhëheqjen ushatarake.
“Veprimet tuaja gjatë momenteve kyçe ishin të dobishme për të sjellë lirinë që ne e çmojmë sot”, shkroi mes tjerash në një postim në Facebook Abdixhiku.
“Dhe këtu ju drejtoj thirrjen tonë për të na ndihmuar t’i forcojmë akoma këto lidhje; lidhjet ndërmjet Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara; sepse ato mbesin orientime tona autentike!
Vizitat tuaja në Kosovë kanë qenë gjithmonë burim frymëzimi dhe sigurie për qytetarët tanë”, shkroi ai.
Kryetari i LDK-së poashtu ka publikuar edhe një videot, pjesë nga fjalimi i Clark:
“Njerëzit shpesh më pyesin: Cila është diferenca kur NATO ndërhyri në Kosovë, por ne shkuam në Libi, shkuam në Irak, dhe çka me Afganistanin? Pse është Kosova ajo që ka qenë e suksesshme? Dhe në Libi ende ka luftë dhe Iraku është Irak dhe e dini për Afganistanin dhe është një gjë shumë e thjeshtë: LDK”, ishte një pjesë e fjalimit të Wesley Clark para të pranishmëve të kësaj partie.
Postimi i plotë:
I nderuar Gjeneral Wesley Clark,
Me nder të madh dhe kënaqësi të veçantë ju uroj mirëseardhjen në zyret e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës.
Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe.
Gjatë orëve më të rënda të luftës sonë për liri, vendosmëria dhe veprimet tuaja vendimtare i dhanë shpresë dhe forcë një kombi të etur për liri. Udhëheqja juaj gjatë ndërhyrjes së NATO-s ishte një pikë kthese që jo vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë sonë, por edhe siguroi mbijetesën dhe të ardhmen e jetëve të panumërta – të njerëzve tanë!
Për këtë, do të kujtoheni përgjithmonë.
Për këtë, ne do t’ju falënderojmë përgjithmonë.
Gjeneral Clark, roli juaj i rëndësishëm historik dhe kontributi juaj i jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës nuk mund të mbivlerësohet.