Në njëvjetorin e rënies së heroit, Afrim Bunjaku është mbajtur akademi përkujtimore në nderim dhe përkujtim të sakrificës së tij për vendin. Rreshterin Bunjaku e kanë kujtuar fëmijët, familja Bunjaku, kolegët e përfaqësuesit e institucioneve. Në këtë akademi përkujtimore u tha se rënia e heroit Afrim Bunjaku ishin kthesa që ndryshoi rrethanat në Kosovë.
Vajza e heroit, Arbenita Bunjaku tha se amanet për familjen Bunjaku janë përkushtimi dhe dashuria për atdhe.
“Është e vështirë t’i imagjinosh ëndrrat e fëmijës kur i mungon krahu më i fortë që është babai. E vështirë të vazhdohet jeta pa praninë e tij. Por, krenaria e madhe që kemi për babin tonë të patrembur na bënë të vazhdojmë përpara. Duke kujtuar që u bë hero për vendin tonë, ku dashuria dhe përkushtimi për atdheun janë amanet për ne. Një vit pa ty babi, heroi i Kosovës. Një vit me plot sfida, mungesë që shkon e rritet ku asgjë nuk e përmbush boshllëkun që ke lënë brenda nesh. Të jetosh në zemrat e atyre që le pas do të thotë të mos vdesësh kurrë. Ishe dhe do të mbetesh gjithmonë krenaria e familjes dhe shtetit tonë. Pusho në paqen e amshueshme heroi ynë”, tha Arbenita.
Polici Mirsad Kryeziu i cili ishte pranë rreshterit Afrim Bunjaku në momentet e fundit të jetës së tij, ka ndarë kujtimet për kolegun e tij.
“Pata fatin e mirë dhe krenarinë time të madhe që të mos e harrojë asnjëherë në jetë. Jemi njoftuar si dy përgjegjës të ekipeve, pas komunikimit që zhvilluam me Afrimin dhe kolegët tjerë që ishin prezent filluam dhe kontrollimin e perimetrit ku ishin vendosur kamionët. Ndërkohë një pjesë ku ishte rreshter Afrimi nga grupi terrorist është aktivizuar një mjet shpërthyer i fuqishëm në ato momente kanë filluar të shtënat me armë zjarri në drejtim dhe pozicionet tona. Ndonëse të sfiduar nga errësira jemi përgjigjur më zjarr. Gjatë shkëmbimit të zjarrit në ndërkohë kam vërejtur se rreshteri Afrimi është plagosur rëndë, po ashtu edhe kolegu Alban Rashiti që ishte afër. Mes breshërish të plumbave kemi arritur të tërheqim rreshterin për ta dërguar për trajtim mjekësor, jemi përpjekur shumë, ama jashtëzakonisht shumë që ai të jetë i gjallë e të ju mbijetojë plagëve, por për fat të keq nuk ia kam dalë. Sa më shumë e tërhiqja aq më shumë shtoheshin të shtënat. Për atë nuk do të lëja për asnjë moment, edhe pse kjo do të më kushtonte me jetë”, ka rrëfyer Kryeziu.
Kryeministri Albin Kurti tha se rreshter Afrim Bunjaku një vit më parë ra dëshmor në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës dhe tërësisë territoriale të vendit. Shefi i ekzekutivit theksoi se Bunjaku u vra sepse nuk deshi që të pësonin të tjerët.
“Pikërisht në vitin e 25-të të lirisë u sprovuam përkitazi gatishmërisë dhe aftësisë tonë si shtet dhe si shoqëri për ta mbrojtur lirinë e fituar me aq sakrifica e mund ndër gjenerata të tëra. Kështu, saktësisht një vit më parë, shteti ynë, Republika e Kosovës u përball me sfidën më të rrezikshme që prej shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit të vitit 2023, një grup terroristësh të mbështetur, të armatosur, të financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë kryejnë një akt të qartë agresioni me qëllim shkëputjen dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës në veri të saj. Në fshatin Banjskë të Zveçanit ky grup terroristësh serbë me uniforma taktika ushtarake hasen në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Atë ditë terroristët serbë e vranë rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti”, deklaroi Kurti./Telegrafi/