Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare. Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim.
Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Më vonë gjatë ditës edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e së hënës të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.
Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”./Reporteri/