×
  • S’fundmi
  • Publikimet
  • Puna jonë
  • Publikimet

    Gazetarja që lufton stereotipet dhe paragjykimet

    NgaKotar Gent Mehmeti Publikuar: 03/06/2024 | 13:02 Publikimo: 03/06/2024 | 13:02

    Gazetarja Nora Gjuzi ka mision që të luftojë paragjykimet ndaj komuniteteve joshumicë në Kosovë. Ia vuri vetes një qëllim: që si gazetare do të mund të bëhej zë i shqetësimeve të komunitetit të saj egjiptian. Mirëpo jo vetëm të këtij komuniteti.

    Gazetarja nga Prizreni shumetnik thotë se çdo herë kontaktohet nga qytetarët për t’i qarë hallet e tyre.

    “Gjendja e vështirë ekonomike, të paaftë për punë, mungesë e infrastrukturës. Kohëve të fundit është shfaqur përsëri fenomeni i braktisjes së shkollimit”, thotë gazetarja Gjuzi.

    Autorja e emisionit “Ora egjiptiane” u kushton shumi minuta sukseseve nga komuniteti i saj.

    Për emisionin e 27 prillit, gazetarja Gjuzi që gjithashtu është edhe moderatore e këtij emisioni që shfaqet një herë në javë në RTK1, ka përgatitur storje për komunitetin që jeton në fshatrat Serbobran dhe Zallq të Istogut.

    Përveç sfidave ditore, banorët e fshatit Serbobran jetojnë edhe me frikën se sa herë ka reshje shtëpitë e tyre mund të vërshohen.

    Sanja Selimoviq, banore e fshatit, i thotë gazetares Gjuzi se ka qenë e rëndë hera e parë kur shtëpia është vërshuar nga uji.

    Përkundër vështirësive, Selimoviq shton se fëmijët shkojnë në shkollë. “Tash nis edhe vajza e vogël shkollën. Mirëpo është vështirë”, i thotë Selimoviq gazetares Gjuzi.

    Zanati i harruar

    Gazetarja Gjuzi në fundprill ka vizituar edhe fshatin Zallq të Pejës. Atje ka dëgjuar rrëfimin e Izet Kamerajt që i vetëm kujdeset për kafshët. Ai bën qethjen e deleve.

    “Tash është sezoni i qethjes për shkak të nxehtësisë. Koha e qethjes ka nisur para dy javësh. Jemi vonuar pak me qethje, por është mirë, tash kemi filluar”, i thotë Kameraj gazetares së RTK-së.

    Sipas Kamerajt, kur vjen koha e qethjes së deleve krijohet atmosferë e mirë në fshatin Zallq.

    “Është pak e mundimshme, por tash kanë dalë makinat e qethjes dhe është pak më e lehtë për të bërë qethjen e deleve. Më herët është dashur që me gërshërë, por tash me makinat e qethjes është lehtësuar puna. Më duhen diku tetë minuta për ta qethur një delme”, i thotë Kameraj gazetares së emisionit “Ora egjiptiane”.
    Kameraj thotë se ka mungesë të fuqisë punëtore. Kjo ia ka vështirësuar punën, që sipas tij, sjell fitim.

    “Fitimin e kam të mirë, por pak kemi problem me punëtor. Nuk ka fuqi punëtore sa duhet. Po të kishte do të punësonim, por përsëri mirë sesa të rrimë”, thotë Kameraj.

    Për qethjen e deleve dhe të mbjellat, Kameraj është ndihmuar edhe me subvencione të ndryshme.

    “Grantin e kam marrë prej IOM-it dhe prej Komunës së Istogut. Na kanë ndihmuar sepse është lehtësim i madh. Është dashur t’i paguajmë vetë. Mirëpo tash i kemi pajisjet. Kjo më ka dhënë motiv shumë sepse pas luftës askush nuk është kujdesur. Mirëpo tani kam shumë shpresa dhe vullnet. Deri më tani jemi të kënaqur shumë”, thotë Kameraj.

    Për Izet Kamerajn, qethja e deleve është më shumë sesa punë e përditshme. Thotë se është mënyrë e jetesës dhe pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor.

    Në kohën kur traditat po shuhen përball modernizimit, qethja e deleve mbetet shenjë e rëndësishme e përmbajtjes dhe forcës së kulturës së tyre lokale.
    Raportimet si ky për punën e Izet Kamerajt, Gjuzi thotë se janë përpjekje që komunitetet pakicë të mos pasqyrohen vetëm për jetën e tyre të vështirë.

    “Në shumicën e shumicën e temave të trajtuara për komunitetet joshumicë, pra gjithmonë është pasqyruar jeta e vështirë, kushtet e rënda socioekonomik. Kështu, ka ardhur deri te forcimi i paragjykimeve që shqiptarët kanë pasur për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian”, vlerëson gazetarja Gjuzi.

    “Është pikërisht kjo pikëpamje se si duan të portretizojnë komunitetet dhe për shkak se tashmë me storje më emocionale po arrihen përfitime të ndryshme, mbështetje të tjera në qoftë se trajtohet një temë për komunitetet jo shumicë dhe bazuar në jetë ne tyre, trajtimi i këtyre temave për komunitetet në këtë formë del që me ose pa dashje të paragjykohen dhe më tepër”, thotë ajo.

    Gjuzi insiston se ka përpjekje që gazetarët të jenë zë i këtyre komuniteteve.

    “Kërkohet që më tepër të fokusohemi tek pjesëtarët e komunitetit dhe jo tek rastet e tjera, por në të shumtën e rasteve ne mund të jemi edhe zë i tyre”, thotë Gjuzi.

    Luftimi i dezinformimit dhe propagandës

    Autorja e emisionit “Ora egjiptiane” ka folur edhe për luftimin e dezinformimit te komunitetet joshumicë.

    “OJQ të ndryshme kanë punuar mjaftë në luftimin e dezinformimit për komunitetet me projekte të ndryshme, qoftë të nivelit lokal, por edhe qendror”, thotë ajo.
    Vlerëson se deri më tani nuk ka pasur raste të dezinformimit te komunitetet joshumicë.

    Në përpjekje që të luftohet dezinformimi dhe propaganda te komunitetet joshumicë, është themeluar edhe plaforma mediale “Factorial”.

    “Factorial” është platformë mediale e themeluar në prill të vitit 2024, përmes projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net.

    Në një përshkrim të kësaj platforme thuhet se qëllim është gazetaria narrative me bosht kryesor komunitetet ashkali, egjiptian, rom dhe jo vetëm.

    “Duke mbështetur debate kritike, zëri ynë ka mision për të ndërtuar, mbrojtur dhe për të përhapur informacionin e rëndësishëm për komunitetet në mbrojtjen e të drejtave të tyre, adresimin e çështjeve dhe sfidave të ndryshme që i prekin”, thuhet në përshkrimin e kësaj platforme.

    “Platforma jonë synon të krijojë një mjedis informativ dhe përkrahës për komunitetet duke siguruar informacion të saktë, objektiv dhe të lidhur me çështjet lokale dhe globale që prekin jetën e tyre”, thuhet më tej.

    “Factorial” është e angazhuar për të përfaqësuar dhe për të përkrahur të gjitha grupet dhe interesat e komunitetit, duke siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe të vlerësohen në këndvështrimin tonë editorial.

    “Ne operojmë me transparencë dhe llogaridhënie përpara komuniteteve tona, duke u angazhuar për të shpjeguar vendimet tona dhe për të pranuar kritikën konstruktive për të përmirësuar qëndrimin tonë dhe përmbajtjen tonë”, thuhet në përshkrim.

    Ndërkaq, Gjuzi insiston se duhet të ndryshohet qasja dominuese në mediat kosovare në lidhje me mënyrën se si raportojnë për komunitetet joshumicë.

    “Sepse në momentin që pjesëtarët e komuniteteve e shohin që nuk ka përmirësim, automatikisht vjen deri te demotivimi që të jenë pjesë e ndryshimit të situatës ose krijimit të politikave për dezinformimin”, thotë ajo.

    *Ky artikull u realizua nga gazeta online Reporteri.net, në kuadër projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.