×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Konferenca Ndërkombëtare për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Ndryshimet Klimatike po mbahet në Prishtinë

    NgaKotar FactorialPublikuar: 13/09/2024 | 10:36 Publikimo: 13/09/2024 | 10:36

    Në Prishtinë dje ka filluar konferenca e tretë ndërkombëtare organizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) e Universitetit të Prishtinës (UP), së bashku me aktivitetin Adapt të USAID në Kosovë, GIZ Kosova dhe Rrjetit CSR Kosova, me temën “Inovacioni për një të nesërme të qëndrueshme: Dialog mes institucioneve akademike, industrisë dhe qeverisë.”.

    Konferenca dy ditore ofron një platformë për ndarjen e hulumtimeve më të fundit, inovacioneve dhe praktikave më të mira për qëndrueshmërinë mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

    Konferencën e përshëndeti drejtuesja e misionit të USAID në Kosovë, znj. Eileen Devitt e cila tha se “Qeveria e SHBA-së përmes Aktivitetit Adapt ka siguruar më shumë se 13 milionë dollarë për zhvillimin e teknologjive, politikave dhe mjeteve të reja për të zbutur ndikimet e ndryshimeve klimatike në Kosovë.”

    Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte i pranishëm në konferencë dhe potencoi dedikimin e Qeverisë së Kosovës për t’u përgjigjur ndryshimeve klimatike përmes politikave, ligjit dhe strategjisë për ndryshimet klimatike.

    Dr. Sebastian Leuschner, atashe për çështje klimatike në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë u shpreh: “Gjermania dhe GIZ kanë mbështetur Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmërinë që nga themelimi i saj dhe një nga shembujt kryesorë të bashkëpunimit tonë është krijimi i skemës për auditorët dhe vlerësuesit e energjisë. Sot numri i auditorëve është rritur në 226 profesionistë dhe kjo është shënon një arritje të madhe për rritjen e ekspertizës së auditimit energjetik në Kosovë.”

    Konferenca vë në pah dhe do inkurajojë përfshirjen aktive të sektorit privat në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe lehtësimin e kalimit drejt një ekonomie të gjelbër. Duke nxitur bashkëpunimin midis akademisë, liderëve të industrisë, politikëbërësve dhe bizneseve që mendojnë përpara, organizatorët e konferencës dhe partnerët e shumtë mbështetës përpiqen të ndërtojnë një shoqëri të fuqishme, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit në Kosovë.

     

     

    Në fjalimin e saj, znj. Prof. Dr. Majlinda Daci Ajvazi, drejtoreshë e Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri pranë Universitetit të Prishtinës u shpreh:

    “E ardhmja jonë kolektive varet nga aftësia jonë për të harmonizuar përparimin njerëzor në njërën anë dhe shëndetin e planetit tonë, në anën tjetër. Rreziqet klimatike kanë ndikim të pazakontë, disproporcional dhe të rëndë mbi Kosovën, gjë që është e pazakontë për një vend të vogël si ne. Për të shmangur katastrofën klimatike, ne jo vetëm që duhet të ndalojmë emetimet e vazhdueshme të dioksidit të karbonit në atmosferë, por ne duhet aktivisht ta largojmë një sasi të karbonit ekzistues. Aktualisht, ne emetojmë rreth 40 giga ton dioksid karboni në vit ndërsa largojmë vetëm 100 mijë ton dioksid karboni në vit.”

    Në konferencë po mbahen fjalime kryesore, ekspozita të bashkëpunimeve akademi-industri, ekspozita të hulumtimeve dhe inovacionit si dhe prezantime nga liderët e qëndrueshmërisë.

     

    Prof. Dr. Noah Kittner nga Universiteti i Karolinës së Veriut Chapel Hill, SHBA, theksoi rëndësinë e dekarbonizimit dhe reduktimit të emitimeve në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor duke potencuar se infrastruktura energjetike është shumë e rëndësishme për të mundësuar që energjia e ripërtërishme që krijohet të mos krijojë disbalanc në rrjetin energjetik. Përveç krijimit të energjisë së ripërtërishme, përdorimi i mjeteve dhe pajisjeve efiçiente është një mënyrë tjetër e uljes së konsumit të energjisë.

     

    Në panelin e parë: “Orientimi i Sfidave Klimatike” ku në panel ishin Sergiy Maslichenko – drejtor i BERZH, Trim Tërnava – ekspert i energjisë, Adam Cwetsch – drejtues i Green Deal, dhe Besiana Qorraj, zyrtare e lartë për Burimet e Rinovueshme të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, u potencua se duke i dhënë përparësi financimit të dedikuar të gjelbër në Kosovë dhe iniciativave të gjelbërta të NVM-ve, është thelbësore për një kalim të suksesshëm drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe arritjes së qëllimeve mjedisore.

    Në sesione u fol për nevojën për adaptim dhe zvogëlim të ndryshimeve klimatike dhe nevojës kritike për të kaluar drejt burimeve më të gjelbra të energjisë. Sipas folësve, nevojitet një qasje gjithpërfshirëse është thelbësore, duke integruar sektorë si bujqësia, uji dhe shëndetësi, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet qeverive, sektorëve privatë dhe komuniteteve siguron zbatimin efektiv. Me adresimin e këtyre çështjeve, Kosova dhe rajoni mund të zhbllokojnë potencialin e tyre për një të ardhme të qëndrueshme.

    Punimet e konferencës do të vijojnë edhe sot, dhe në mesin e diskutimeve të shumta do të jenë edhe panelet me folës për temat rreth strategjive të biznesit të qëndrueshëm dhe politikave për të ardhme më të gjelbër, financimin e transformimit të gjelbër, navigimin në sfidat klimatike, dhe gjetjen e qasjeve inovative për qëndrueshmëri ndaj ambientit dhe adaptimin dhe mitigimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.

     

     

     

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.