×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    KQZ-ja siguron disa qendra alternative për shkollat e bllokuara nga serbët

    NgaKotar FactorialPublikuar: 18/04/2024 | 19:28 Publikimo: 18/04/2024 | 19:28

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka siguruar qendra alternative pas refuzimit të drejtorëve serbë që shkollat në veri të vihen në dispozicion për votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave. E ministri i Punëve të Brendshme u shpreh i gatshëm që të asistojnë nëse KQZ-ja kërkon nga Policia të bëjë hapjen e shkollave, që menaxhohen nga strukturat ilegale serbe
    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka siguruar edhe rreth 10 qendra të tjera të votimit për ta zhvilluar procesin e shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore me shumicë serbe, më 21 prill.

    Nga 43 qendra të votimit që i pati planifikuar KQZ-ja, 33 nga to nuk u vunë në dispozicion nga drejtorët serbë të shkollave në këto komuna.

    Por të enjten anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, ka thënë për KOHËN se deri më tash kanë marrë konfirmimin për sigurimin e rreth 20 qendrave të votimit gjithsej.

    “Diku rreth 20 konfirmime janë marrë deri më tash të hapësirave dhe besoj këtu diku do të sillet por nuk mund të them saktë a janë 22 apo 23 apo sa janë, por rreth 20 qendra të votimit nga 43 të planifikuara të cilat i kemi pasur fillimisht si komision qendror i zgjedhjeve”, ka thënë Elshani.

    Ai është shprehur se këto qendra votimi nuk do të jenë në kontejnerë, sikur kur u votua për këta kryetarë më 23 prill 2023, por në hapësira publike, salla sportesh e prona të AKP-së.

    Të mërkurën anëtarë të KQZ-së insistuan në hapjen e të gjitha qendrave të votimit në veri, me gjithë kundërshtimin e drejtorëve të shkollave të emëruar nga strukturat ilegale.

    E, nëse një gjë e tillë i kërkohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, udhëheqësi i saj, Xhelal Sveçla, tha se Policia do të përmbushë kërkesën.

    “Ne jemi në asistim të çfarëdo vendimi të Komisionit Qendror Zgjedhor për të organizuar, mbarë, mirë, qetë këto votime. Çfarëdo kërkese e ligjshme që na vjen nga Komisioni Qendror Zgjedhor patjetër ne, por besoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme për të asistuar”, ka thënë Sveçla të enjten pas mbledhjes së Qeverisë.

    Serbët kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë procesin e iniciuar nga vetë ata për shkarkim të kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, duke dhënë disa arsyetime, si numrin e votuesve, vëzhgimin e procesit me kamera e të tjera.

    Për shkarkim të kryetarëve, sipas udhëzimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokaj, nevojitet vota pro e 50 për qind të trupës elektorale të komunës përkatëse, plus një votues.

    Nëse edhe ky proces kalon, atëherë organizohen zgjedhjet e reja në këto katër komuna.

    Procesi i 21 prillit u iniciua me një peticion, ku u kërkua nënshkrimi i 20 për qind të trupës elektorale të secilës komunë.

    Serbët dhe partitë serbe i patën bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit 2023 në komunat veriore, por pas vendosjes së kryetarëve të partive shqiptare në ndërtesat komunale, nxitën tensione e protesta të dhunshme, ku u lënduan shumë gazetarë, policë e ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.