Kurti ka theksuar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se kompetencat e Asociacionit nga të dyja marrëveshjet shkelnin parimet e Kushtetutës, karakterin multietnik dhe cenonin rendin juridik, marrëveshja u shkel edhe nga Serbia në nenet e tjera të saj.
“Serbia asnjëherë nuk respektoi nenin 14 të marrëveshjes për mos pengim të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së ndërkaq shkeli edhe të gjitha nenet tjera për integrimin e serbëve në institucione duke i bojkotuar ato në formë kolektive e me urdhër nga Beogradi. Para 11 vjetëve u arrit një marrëveshje e cila, në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia”, ka thënë Kurti.
Ai ka përsëritur se Serbia duhet të pranojë ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar që përmban njohjen de facto dhe adreson çështjen e Asociacionit sipas gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, ka shtuar tutje.
Sipas Kurtit, për Asociacion nuk mund të flitet pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshjen Bazike të 27 shkurtit 2023 me Aneksin e Zbatimit të 18 marsit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel dhe “pa konstatuar që marrëveshja Thaçi-Daçiq (2013) është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia kurse vazhdimi i saj Mustafa-Vuçiq (2015) është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.
Kurti ka thënë ndër tjerash se sot ushtria e Serbisë do të stërvitet afër kufirit me Kosovën, pavarësisht zotimeve të kaluara.
“E sot u bënë 11 vjet edhe nga zotimi i njëanshëm i ish kryeministrit Thaçi në Bruksel te sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, se FSK nuk do ta kalojë lumin Ibër pa lejen e KFOR-it. Në këtë 11 vjetor, ushtria e Serbisë në Peshter të Sanxhakut (30 kilometra larg kufirit të Kosovës e 3 kilometra larg atij të Serbisë) do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë!” ka përfunduar kryeministri.