×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Kurti: Serbia, shtet mafioz e presidenti i saj, kryemafioz

    NgaKotar FactorialPublikuar: 18/04/2024 | 19:16 Publikimo: 18/04/2024 | 19:16

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, po vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi, përderisa katër policët e tjerë të ndaluar janë liruar gjatë ditës së enjte. Kryeministri Kurti ka thënë se veprimet e Serbisë janë pasojë e mungesës së sanksioneve për sjelljen e saj në raport me Kosovën. Ai ka thënë se Serbia është shtet mafioz, që udhëhiqet nga një president kryemafioz
    Edhe në mbledhjen e 200-të të Qeverisë, por edhe në konferencën pas saj, të enjten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për hakmarrjen e Serbisë me ndalimin e autobusëve me banorë të Kosovës, që po kalonin përmes këtij shteti.

    Gjatë mbledhjes, Kurti ka njoftuar se katër policët e arrestuar të mërkurën janë liruar, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë, Dejan Jankoviq, po vazhdon të mbahet në paraburgim.

    Sipas Kurtit, fakti që nuk ka sanksione për veprimet e Serbisë në raport me Kosovën po i jep zemër Qeverisë në Beograd që të ndërmarrë veprime të tilla.

    Serbinë ai e ka cilësuar si shtet mafioz.

    “Arrestimet që i bën Serbia, qoftë qytetarët e zakonshëm që e përdorin si vend transit për në vendet e BE-së, qofshin zyrtarë shtetërorë, këto nuk do të vinin në shprehje nëse do të kishte sanksione. Mungesa e sanksioneve e ka trimëruar Serbinë dhe uroj që ky trimërim i agresivitetit që vjen si pasojë e një nervoze të padurueshme të brendshme të saj që rezulton nga sukseset e shtetit tonë, të paraqet një etapë të re në të cilën do të kuptohet që Kosova është shtet demokratik, respekton të drejtat e qytetarëve, ndërsa Serbia është praktikisht shtet mafioz. Besoj që zyrtarët e Brukselit do ta kenë parë konferencën e presidentit Vuçiq në kazermën ushtarake në Beograd, të shtunën që shkojë, pikërisht kur u bënë 10 muaj nga rrëmbimi i policëve tanë si dhe në ditëlindjen e repartit “Kobra”, repart që i kishte rrëmbyer policët tanë. Shtet mafioz, ku kryemafiozi është njeriu më publik atje, është presidenti”, ka thënë Kurti.

    E, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, në konferencën e përbashkët me Kurtin, ka deklaruar se të mërkurën janë ndaluar gjithsej 10 policë, nga të cilët 5 janë liruar në po të njëjtën ditë, e katër një ditë më vonë.

    “Fakti se zv. drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës është arrestuar dhe transferuar në Rashkë duhet të jetë alarm për të gjithë. Nuk është vetëm abuzim i rëndë nga ana e Serbisë, por Vuçiqi me arrestimin e mbajtjen e Jankoviqit synon të dërgojë mesazh të qartë të frikësimit për serbët e Kosovës që janë integruar apo donin të integroheshin në Policinë e Kosovës”, ka thënë Sveçla.
    Sipas institucioneve në Kosovë, maltretimi i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje”, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Qeveria në Beograd ka arsyetuar ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Jankoviq, me “prishje të rendit kushtetues të Serbisë”.

    Në fakt, pak pas votimit në Këshill të Evropës, të martën mbrëma, autoritetet e Serbisë ndaluan disa autobusë me qindra qytetarë të Kosovës në kufirin Kroaci – Serbi. Pasi ua morën dokumentet, i mbajtën për gati 24 orë. Ndalesa të qytetarëve kosovarë pati edhe në pikëkalimet kufitare të Serbisë me Hungarinë, por edhe në ato me Kosovën.

    Për këto ndalime, të enjten pasdite, presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Hovenier.

    U diskutua edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku faza finale e votimit është në maj.

    “Në takim gjithashtu u diskutua lidhur me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe për përgatitjet që po bëhen për mbarëvajtjen e procesit të votimit që do të mbahet këtë fundjavë në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.