×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Mospajtimi i opozitës – PDK kërkon shpërndarjen e Kuvendit, LDK dhe AAK dorëheqjen e Kurtit

    NgaKotar FactorialPublikuar: 20/05/2024 | 15:30 Publikimo: 20/05/2024 | 15:30

    Ani pse Partia Demokratike e Kosovës po kërkon që deri më 30 maj, Kuvendi të shpërndahet, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkesë tjetër, atë të dorëheqjes së kryeministrit Albin Kurti.

    Ditën e sotme, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, në konferencë për media, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendi duhet që sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme, derisa përmendi si data 30 qershorin, si dhe 7 korrikun.

    Por, se nuk ka dakordim me partitë e tjera opozitare, e tha deputeti Tahiri, por që sipas tij kjo qeveri nuk mund të rri në pushtet edhe për tetë muaj të tjerë, pasi është e dobët dhe denigruese. “Si Grup Parlamentar jemi në komunikim intensiv me te gjitha palët që Kosova të shkojë në zgjedhje, qoftë më 20 qershor ose me 7 korrik. Të vetëm se kemi fuqinë në Kuvendin e Kosovës. E kemi potencuar të gjitha dëmet që po i vuajnë qytetarët e këtij vendi, për shkak të kësaj qeverisje të dobët e degraduese. Është mirë qe së bashku ta finalizojmë me seancë në javën tjetër qe t’i kapim datat 30 qershor ose 7 korrik. Nuk ka kuptim qe tetori të jetë muaj që vendi të shkoj në zgjedhje. Fillimi i kësaj vere është koha, e në të kundërtën do ia zgjasim edhe 8 muaj qe vendi ynë të ketë një qeverisje kaq të dobët. Edhe dështimi në Këshillin e Evropës është arsye shtesë, as se kemi ekonominë, as arsimin andaj iu bëj thirrje grupeve opozitarë qe më 30 qershor t’i drejtohemi kutive të votimit”, tha ai.

    Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, në deklarimin e tyre të fundit kanë potencuar se nuk i bëjnë favor Kurtit me shpërndarje të Kuvendit. Sipas tyre, kryeministri Kurti duhet fillimisht të japë dorëheqje. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami tha ditën e djeshme se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje.
    “Ne absolutisht që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, po besoj që asnjë parti politike nuk është më e gatshme se Lidhja Demokratike e Kosovës. Për shkak se ka 6 muaj tashmë që ne kemi mbajtur konventën dhe kemi lansuar programin “Rruga e Re”, për secilin sektor e dimë saktë se çfarë do të bëjmë javën e parë, muajin e parë, vitin e parë dhe vitin e fundit…Mirëpo, ajo se çfarë ne po kërkojmë është që zotëri Kurti të dorëzohet dhe të tregojë se ka dështuar në secilën fushë dhe ne kështu të shkojmë në zgjedhje. Nuk dëshirojmë që ne në fakt t’i bëjmë favorin që ai kinse të shkojë në zgjedhje për faktin se po e kërkon opozita. Ne po kërkojmë zgjedhje, mirëpo zgjedhjet janë si rezultat i dorëzimit faktik të cilin tashmë Kurti e ka bërë. Ne jemi shumë të bindur se do të korrim fitore dhe do të jemi partia e parë”, tha Bajrami dje për Kosovapress.

    Edhe nga AAK kanë po kërkesë të njëjtë, dorëheqjen e Kurtit.

    Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të kësaj partie, tha sot para mediave se nuk do të mbështesin kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

    “Shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje, një ‘exit’ për Qeverinë Kurti. Në një farë forme për dështimet e Qeverisë fajin e merr Kuvendi. Qeveria duhet të shkarkohet vet sepse një qeveri e dëmshme duhet të deklarohet vet për dorëheqje”, deklaroi Tahiri në konferencën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.

    E se s’ka kërkesë zyrtare për shpërndarje të Kuvendit, e tha sot shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
    Kusari-Lila tha se me vetëm një parti një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, por që nëse do të ketë unitet të partive opozitare, edhe ata vetë do ta mbështesin një nismë të tillë.

    “Jemi deklaruar si pozitë që në rast se ka unitet në grupet paralmentare të opozitës për shpërndarje ne e mbështesim. E kemi thënë që skemi frikë nga shkuarja në zgjedhje, por smund ta bëjmë këtë vetëm me njërin grup parlamentar, duhet të ketë unitet. Konsiderojmë që kjo qeveri i ka plotësuar kushtet për një mandat të plotë. Nuk ka kuptim të mbështet vetëm një grup opozitar”, tha Kusari-Lila./Reporteri.net/

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.