Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministren e Estonisë dhe shefen e ardhshme të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Osmani me Kallasin është takuar gjatë samitit të NATO-s që është mbajtur në Washington të SHBA-së.
Osmani përveç Kallasit, ka takuar edhe kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden.
Ajo ka shkruar se me të dy ka folur për rëndësinë e bashkëpunimit.
“Gjatë Samitit të NATO-s, me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbrojtjes së vlerave të cilat qëndrojnë në themel të Aleancës Veri-Atlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani gjatë samitit të NATO-s në Washington është takuar edhe me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau.
Osmani ka shkruar se gjithnjë e ka kënaqësi bashkëbisedimin me kryeministrin kanadez.
“Në Samitin e NATO-s, në Washington D.C., e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për vendin dhe popullin tonë”, ka shkruar Osmani.
Të premten ajo është takuar edhe me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Diskutim përmbajtësor me Presidentin Macron në Samitin e NATO-s në Washington D.C lidhur me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës”, shkroi Osmani në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Presidentit të SHBA-së, Joe Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C.
Pjesëmarrjen në këtë aktivitet të Samitit të NATO-s, Presidentja Osmani e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në Washington, presidentja u takua edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku tha se aleanca me SHBA-të është gurthemel për stabilitetin.
Blinken, në fjalim në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në kuadër të Samitit të NATO-s, ku ka qenë e ftuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e tij e ka falënderuar presidenten e Kosovës duke thënë se ka qenë vendimtare për të filluar me këtë nismë për gratë, sigurinë dhe paqen.
“Jemi të lumtur që e kemi presidenten Osmani këtu. Presidentja Osmani ishte vendimtare në lansimin e kësaj inicaitive.”, ka thënë Blinken në fjalën e tij. /Reporteri.net/.