Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka mbështetur deklaratën e fundit të Kryeministrit Albin Kurti “se kanë dallime, por s’janë të patejkalueshme”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
E para e shtetit tha para gazetarëve se është me rëndësi që të gjitha institucionet të reflektojnë për çështjet e interesit nacional pasi siç tha ajo edhe rezultati do të jetë më i mirë.
“Meqenëse ka interesim, natyrisht qe kur vendoset interesi shtetëror dhe ai qytetarë, çdo dallim është i tejkalueshem. Është e domosdoshme qe te gjitha institucionet e Republikës së Kosovës bashkarisht të ulemi e të reflektojmë per çështjet e interesit nacional atëherë edhe rezultati do të jetë i mirë siç e ka dëshmuar historia. Përtej dëshirës dhe vullnetit për ta mbrojtur Kosovën dhe Kushtetutën e saj, e kam edhe detyre kushtetuese, dhe brenda këtyre suazave bashkëpunoj me të gjitha institucionet”, tha Osmani.
Në pyetjen se a “a po i vjen fundi marrëdhënies bashkëpunuese Osmani-Vetëvendosje”, duke përmendur këtu edhe përplasjen që pati me kryeparlamentarin Glauk Konjufca për letrën e dërguar në KiE, presidentja tha se s’ka pasur raport Osmani-VV, pasi siç tha ajo, presidentja s’mban raporte me parti politike.
Ajo tha se kanë një raport ndërinstitucional, dhe s’ka rëndësi lidhja partiake, por raporti korrekt në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e Republikës së Kosovës.
“Nuk ka pasur raport Osmani Vetëvendosje. Presidentja nuk mban raport me parti politike, raporti ynë është ndërinstitucional dhe është krejt normale, dhe në fakt është detyrë e të gjitha institucioneve që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve, duke u bazuar në parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Pra nuk ka këtu lidhja partiake ndonjë rëndësi, por ajo për të cilën unë angazhohem vazhdimisht, është raporti korrekt, në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e Republikës së Kosovës. S’besoj ndonjëherë në histori të Kosovës, që ka pasur një presidente me vullnet kaq të madh që të bashkëpunoj edhe me qeverinë edhe me Kuvendin edhe partitë politike që përfaqësojnë qytetarët, se sa vullneti që kam treguar unë. Këtë vullnet e kam edhe sot, siç e kam pasur edhe dje, siç e kam vullnetin për ta mbrojtur Kushtetutën dhe vendin në çdo moment kur mendoj që ato cënohen”, tha Osmani./Reporteri.net/