Kohëve të fundit, sheshasi kanë dalur në pah dallimet në qëndrime për disa tema të rëndësishme ndërmjet kryeministrit Kurti e presidentes Osmani. Sidomos, dallimet mes presidentes e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.
Kurti nuk i shkoi në takim për datën e zgjedhjeve presidentes. E para kësaj, pati një përplasje të ashpër lidhur me letrën që liderët e kishin dërguar në Këshillin e Evropës për Asociacionin.
Kjo situatë mes liderëve të shtetit, ka nxitur përplasje edhe në partitë që udhëheqin, apo kanë udhëhequr, në rastin e Osmanit.
Një vizitë e presidentes Osmani në komunën e Vitisë dhe lëvdatat e saj për kryetarin e LDK-së, Sokol Haliti, nxitën një reagim të ashpër nga zv/ministri i Bujqësisë, Imri Demelezi. Ky i fundit, e akuzoi Osmanin se ka vizituar kryetar shpifës.
Demelezi, që për shef në ministri ka Faton Pecin, ka bërë me dije se shefja e shtetit nuk është dashur ta takonte kryetarin e kësaj komunës, Sokol Haliti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Haliti është një shpifës.
“Presidentja vizitoi kryetarin shpifës të Vitisë të vërtetuar nga gjykata! Para se të viziton të njërin nga zyrtarët e parë të Kosovës, kryetar komune i LDK-së, të vërtetuar si shpifës nga gjykata dhe nga të parët zyrtarë pjesë e luftës hibride kundër Qeverisë së Kosovës, dhe që përdorë edhe paratë publike për këto qëllime! Ky person ‘’shembull’’ i presidentes është vërtetë shembull por për të keq! Dhe sigurisht do të jetë; – kandidat për hetuesinë, kandidat për prokurorinë, kandidat për gjykatën dhe më në fund do të dihet se ku e ka vendin. Sepse po keqpëdorë besimin dhe paranë e qytetarëve tanë në Viti e të mërgatës”, ka shkruar ai.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka habitur me këtë status në “Facebook”.
Derisa ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani, e cila dje e ka takuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ai ka thënë se e para e vendit është dashur të takonte dike tjetër.
Sipas tij, Osmani është dashur të takoi mbështetësin e VV-së, Arsim Ademi, i cili, sipas tij, do të jetë edhe kryetar i ardhshëm i komunës.
“Presidentja Osmani duhet ta dij që kryetari i ardhshëm i komunës së Vitisë do të jetë Dr.sc. Arsim Ademi dhe më e udhës të e takoj atë e të i kërkoj falje që përkrahë një kryetar të tillë të LDK-së që është pjesë thelbësore e historike e të keqes dhe të tashmes!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ky postim ishte i papranueshëm për deputetin e GUXO-s, Burim Meta. Ky i fundit e akuzoi Demelezin se po flet palidhje, madje duke ia kujtuar sa vota i kishin marrë pa Vjosa Osmanin në listë në Viti.
“Zvm. Demelezi eshte mire me kujtu cka i pat be vaki LDK-se kur paten fillu me fol palidhje (keshtu si Demelezi) kunder Presidentes Vjosa Osmani! Eshte mire me kujtu sa vota i patet marre ne Viti ne shkurt 2021 me Vjosen ne liste, e sa ne shtator 2021 pa Vjosen ne liste. Me mire e keni te mesoni nga gabimet, qofte te te tjereve qofte tuajat”, ka shkruar Meta.
Mbetet për t’u parë qëndrimi i ministrit Faton Peci, i cili në njërën anë e ka zëvendësin e vet, Imri Demelezin, e në anën tjetër kolegun e partisë, Burim Metën.
Edhe ditën e djeshme me deklaratat për Urën e Ibrit, presidentja Osmani, pati kërkesë të qartë për koordinim me ndërkombëtarët.
Ajo theksoi se askujt nuk duhet t’i pëlqejë një konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarëve amerikanë./Nacionale/