Ambasada britanike në Kosovë ka reaguar pas mbylljes së nëntë degëve të postës serbe duke thënë se janë të zhgënjyer me aksionin e djeshëm.
Në një përgjigje për Nacionalen, nga ambasada kanë thënë se veprimi i autoriteteve u bë pa u konsultuar paraprakisht dhe pa e marrë parasysh ndikimin e mbylljes së këtyre postave.
Tutje, ambasada ka pasur edhe një thirrje për Qeverinë e Kosovës.
“Jemi të zhgënjyer nga aksioni i djeshëm i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e postave serbe në veri të Kosovës, pa u konsultuar paraprakisht apo pa e marrë parasysh ndikimin e mbylljeve tek qytetarët. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet seriozisht në zgjidhjen e këtyre çështjeve, duke përfshirë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” – thuhet në një përgjigje nga Ambasada Britanike.
Ndryshe, në lidhje me këtë çështje, pati një reagim të ashpër edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – thuhej në reagim./Nacionale/