Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zotimit të Qeverisë për krijimin vet të Asociacionit dhe dërgimin e draft-statutit të tij në fund të majit në Gjykatën Kushtetuese.
Nga LDK-ja është publikuar një deklaratë e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, kur në qershor të vitit 2023 kishte thënë se autorë të themelimit të Asociacionit duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, në të kundërt s’do të kishte vlerë për shtetin tonë.
“Ne kemi kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin autorësinë për themelimin e Asociacionit. Të jenë autorë të këtij Asociacioni, pra të nisin të shkruajnë draft-statutin e Asoacicionit. Ky ka qenë qëndrimi i LDK-së. Por asnjë propozim që nuk del me autorësi të institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk ka vlerë për Kosovën”, është deklarata e Abdixhikut vitin e kaluar.
Krahas kësaj video, në reagim thuhet se vendimet e vonshme janë të dëmshme për vendin, pasi kjo vonesë tashmë është e kushtueshme.
Sipas kësaj partie, nëse do të dëgjoheshin pikëpamjet e LDK-së, Kosova sot dë të ishte në KiE.
“Vendimet e vonuara të Qeverisë janë gjithnjë të dëmshme. Autorësia mbi asociacionin pasi autonomia është vënë kusht, është vonesë e kushtueshme! Sikur të veprohej sipas pikëpamjeve politike të LDK-së, sot Kosova do të kishte edhe Këshillin e Evropës edhe do të shmangte autonominë. Popullizmi kushton!”, thuhet në reagimin e LDK-së./Reporteri.net/