Policia e Kosovës sot bëri të ditur se në organet e rendit është raportuar se dy persona të panjohur kanë hedhur benzinë dhe kanë tentuar t’ia vënë zjarrin një shkolle.
Rasti ka ndodhur të premten në ora 18:05 në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë, saktësisht në shkollën “Meto Bajraktari”.
“Raportohet se dy persona të panjohur, të maskuar, duke thyer dritaren e objektit të shkollës kanë hedhur lëndë djegëse-benzinë dhe kanë tentuar t’ia vunë zjarrin, por pasi janë diktuar nga personeli i shkollës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhej në raport.Ndërkaq, lidhur me këtë rast ka reaguar sot Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës.
“Mbrëmë në Shkollën ‘Meto Bajraktari’ dy persona kanë tentuar t’i vënë zjarr objektit përmes hedhjes së lëndëve djegëse. Paraprakisht ishin thyer edhe dritaret e shkollës duke dëmtuar kësisoj pronën publike. E dënojmë ashpër këtë akt vandal dhe kërkojmë nga organet e rendit që të gjejnë kryesit e kësaj vepre dhe që ata të marrin dënimin e merituar nga organet e sistemit gjyqësor. Motivet e këtij akti duhet të zbulohen”, thuhet në reagim.
Drejtoria e Arsimit është në kontakt me Policinë e Kosovës, e cila siç thonë është angazhuar për identifikimin e këtyre personave dhe do t’i njoftojë së shpejti me rezultatet e hetimit.
“Mbesim të indinjuar nga ky sulm kriminal mbi objektet shkollore si institucione të zhvillimit e mësimit për më të dashurit tanë pra fëmijët”, thuhet në reagim. /Telegrafi/