Një grua ka vdekur nga plagët e marra pasi u godit nga rrufeja mesditën e 18 gushtit në Prevallë të Prizrenit, konfirmuan nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 12:14 është raportuar për një incident ku rrufeja ka goditur pesë persona, katër prej të cilëve morën lëndime më të lehta.
“Gruaja që ishte në gjendje më të rëndë u dërgua në emergjencë në Prizren.Për shkak të plagëve të marra nga rrufeja, ajo ka ndërruar jetë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Nga Policia thanë se viktima, 64-vjeçare, ishte nga komuna e Ferizajt.
Prevalla është një vendpushim skijimi dhe fshat turistik, i cili është afërsisht 30 kilometra larg Prizrenit./REL/