×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    “Vendim i papranueshëm”, “Qeveria t’i përmbahet ligjit”, të gjitha reagimet e ndërkombëtarëve për shpronësimin e pronave në veri

    NgaKotar FactorialPublikuar: 08/06/2024 | 11:06 Publikimo: 08/06/2024 | 11:06

    Qeveria e Kosovës ka marrë të premten vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Leposaviq e Zubin Potok, komuna këto në veri të vendit për projekte infrastrukturore.

    Ky vendim është marrë në një mbledhje elektronike të Qeverisë së Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar: Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës.”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

    Ky vendim përfshin shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut.

    Ndaj vendimin të qeverisë reaguan ndërkombëtarët që e quan shqetësues dhe të papranueshëm, shkruan Reporteri.net.

    Shtetet e QUINT-it, ku përfshihen ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përcjell Reporteri.net.

    Në reagimin e QUINT-it dhe BE-së, thuhet se “disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit”.

    “Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar”, thuhet në reagim.

    Tutje, theksohet se përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, “na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”.

    “Është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht”, thuhet tutje.

    “Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë”, thuhet tutje në reagimin e QUINT-it dhe BE-së.

    Tutje, theksohet nga QUINT-i dhe BE-ja që qeveria t’i përmbahet sundimit të ligjit.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.