×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Votat e shqiptarëve, përcaktuese në garën për balotazh mes Silanovskës e Pendarovskit

    NgaKotar FactorialPublikuar: 25/04/2024 | 20:28 Publikimo: 25/04/2024 | 20:28

    Rezultati i zgjedhjeve të së mërkurës në Maqedoninë e Veriut pritet që t’i japë sërish peshë votës së shqiptarëve, në balotazhin i cili do të zhvillohet më 8 maj midis dy kandidatëve maqedonas. Derisa subjektet shqiptare që kanë garuar kundër njëra-tjetrës ende nuk kanë marrë një qëndrim nëse do ta mbështesin njërin kandidat, njohës të zhvillimeve kanë thënë se rëndësia e votës shqiptare varet nga ajo se sa homogjenë do të jenë politikanët shqiptarë në vendimet e tyre.

    Votat që kanë arkëtuar kandidatët shqiptarë të ndarë në dy blloqe do të jenë përcaktuese për presidentin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut.

    Pas votimit të mbajtur të mërkurën, në garën e balotazhit më 8 maj do të garojnë kandidatja e VMRO-DMPNE, Gordana Silanovska, e cila ka fituar 40 për qind, dhe Stevo Pendarovski me 19 për qind të votave të fituara. Me gjithë fitoren e thellë, rezultati mund të ndryshojë varësisht se tek cili kandidat do të shkojnë 120 mijë votat e Bujar Osmanit, kandidatit nga Fronti Evropian, 83 mijë të Arben Taravarit nga Vlen.

    Asnjëri kamp ende nuk ka dalë me qëndrim nëse e mbështet njërin prej kandidatëve në balotazh.

    “Akoma jemi në fazën e analizës së zhvillimeve të mëtejshme politike dhe qëndrimeve të kandidatëve të mbetur në raundin e dytë. Do të kemi qëndrim se shpejti dhe do t’ju kumtohet”, ka thënë Jeton Xhemaili, këshilltar i kandidatit për president nga koalicion VLEN, Arben Taravari.

    Nga koalicioni i bashkuar rreth BDI-së nuk janë përgjigjur lidhur me mbështetjen që mund t’ia japin ndonjërit prej kandidatëve në balotazh.

    Por Bujar Osmani me të përfunduar procesi i votimit të mërkurën, ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

    “Të vazhdojmë këtë betejë, të bëhemi bashkë. Edhe ata që kanë dilemën më të vogël t’i bashkohen Frontit Evropian, sepse ai është garanci e së ardhmes së begatë evropiane”, ka theksuar Osmani.

    Analisti Albert Musliu ka thënë se pesha e votës shqiptare do të varet nga homogjeniteti i vendimeve të subjekteve që kanë garuar kundër njëra-tjetrës.

    “Nëse merren vesh si do të bashkëveprojnë së paku për zgjedhjet presidenciale, ato mund të jenë vendimtare se çka do të ndodhë në raundin e dytë. Jo vetëm të vendosin, por prej asaj të kenë edhe një përfitim politik për shqiptarët dhe uroj që atë drejtim edhe ta mbajnë. Nuk ishte e rastit që lideri i opozitës punën e parë që e bëri pas shpalljes së rezultateve iu drejtua opozitës shqiptare me qëllim që të sigurojë sipas mundësisë një sasi të votave që do ta mbanin kandidatin e tyre në garë”, ka thënë Musliu.

    President i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut do të zgjidhet ai që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit. Sipas Musliut, dështimi i procesit mund të ndodhë vetëm edhe nëse LSDM-ja vendos që ta bojkotojë procesin.

    Ai ka thënë që nëse LSDM-ja merr pjesë dhe partitë shqiptare nuk marrin, atëherë nuk do të kishte efekt në mosarritjen e censusit.

    “Janë dy opsione që i japin peshë votës shqiptare. E para, eventualisht të merren vesh me kandidatët, edhe me kandidatin e VMRO-DPMN-së. Por fakti se kandidati i VMRO-DPMNE-së ka dyfishin e votave krahasuar me kandidatin e LSDM-së, sigurisht se pazari dhe interesi që mund të përfitojnë nga ai kandidat do të ishte më i ulët se ai për të cilin do të ishte i gatshëm të merret vesh kandidati i LSDM-së, presidenti aktual. Kështu që, nëse duan t’i japin peshë votës shqiptare duhet të ulen dhe të merren vesh”, është shprehur Musliu.

    E varianti më i keq, siç ka thënë ai, do të ishte nëse liderët nga kampet politike shqiptare i lënë qytetarët të votojnë sipas bindjes dhe nuk tentojnë që ta orientojnë votën e tyre.

    “Jo se ajo do të kishte ndonjë efekt pozitiv për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, por do të kishte efekt dekurajimin për t’ia rritur votat kandidatit tjetër dhe eventualisht ndikimin e tyre për fituesin e garës. Prandaj, do të kisha sugjeruar që ata të ulen dhe të merren vesh së paku në këtë pikë, pra, në çfarë drejtimi do të shkojë vota shqiptare”, është shprehur Musliu.

    Davkova, e cila ka fituar bindshëm, ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019 porse ka humbur në raundin e dytë përballë Pendarovskit, i cili ka marrë shumicën e votave të shqiptarëve.

    Pas fushatës së ashpër, kampet nga të dyja komunitetet ulën shtizat. Madje kryetari i VMRO-DMPNE-së, Hristijan Mickovski, në fjalimin e pasfitores së kandidates së tij ka thënë që e ka uruar kandidatin e koalicionit VLEN duke i dëshiruar sukses në zgjedhjet parlamentare.

    VMRO DPMNE-ja më herët ka kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, pavarësisht se ky ka qenë kusht për anëtarësimin e vendit në Aleancën e NATO-s.

    Kjo parti gjatë fushatës ka dalë edhe kundër ndryshimit të Kushtetutës së vendit për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, kusht ky të cilin ia ka vendosur Bashkimi Evropian (BE) për nisjen e negociatave për anëtarësim.

    Krahas balotazhit për president, më 8 maj do të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.

    Deri në vitin 2017, qeveritë në Maqedoninë e Veriut janë formuar nga partitë fituese shqiptare dhe ato maqedonase.

    Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili aktualisht udhëheq qeverinë teknike, si fituese e zgjedhjeve tek shqiptarët ka qenë pjesë e Qeverisë me VMRO-DPMNE dhe tash me LSDM-në.

    Në vitin 2017, edhe pse i ka humbur zgjedhjet, qeveria është formuar nga LSDM-ja.

    Ish-kryeministri Zoran Zaev ka arritur që ta krijojë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare duke e larguar nga pushteti VMRO DPMNE-në, e cila udhëhiqej nga Nikolla Gruevski.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.